Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Trajnim për kompostimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Prrenjas

Qendra mjedisore EPER realizoi një cikël sesionesh trajnimi gjatë datave 23 - 25 Gusht me nënpunës dhe fermerë të Bashkisë së Prrenjasit në lidhje me kompostimin e mbetjeve urbane. Trajnimi si pjesë e projektit “Kompostimi i Mbetjeve në Prrenjas” që po zbatohet nga Qendra mjedisore EPER dhe Bashkia Prrenjas në kuadër të programit SENiOR-II, i zbatuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga qeveria Suedeze, kishte si qëllim rritjen e njohurive të nënpunësve lokal dhe fermerëve të zonës për procesin e kompostimit.

Gjatë 3 ditëve të trajnimit pjesëmarrësit morën udhëzime praktike nga ekspertët mbi kompostimin në nivel familjeje vs në nivel bashkie, duke nisur nga çështjet bazë të procesit, cikli i plotë i kompostimit dhe veçoritë gjatë kompostimit. Më tej u veçuan disa nga rregullat bazë të kompostimit për të qenë një proces cilësor dhe ekonomikisht i qëndrueshëm.

Gjatë kësaj faze pjesëmarrësit treguan interesim në krahasimin e praktikave të tyre me të dhënat e paraqitura e duke i krahasuar ato. Sesionet e trajnimit për pjesëmarrësit avancuan me njohuri mbi procesin e kompostimit duke dalluar qartësisht procesin aktual me atë cilësor.

Njohuritë e tjera kishin të bënin me proceset e menaxhimit dhe marketimit si edhe me hapat e mëtejshme të projektit, përfshirë edhe pilotimin individual të praktikave të kompostimit apo marrëveshjet e shit-blerjes së kompostos midis fermerëve kompostues dhe biznesit të bimeve medicinale të zonës.

Trajnimi u prit shumë pozitivisht nga pjesëmarrësit të cilët shprehen dhe sugjerimet e tyre se si mund të vazhdohej procesi i ndërgjegjësimit dhe informimit të një numri sa më të madh fermerësh në Bashkinë Prrenjas.

Print Email