Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Bulqizën e dua të pastër nga mbetjet urbane

“Bulqizën e dua të pastër nga mbetjet urbane” është projekti i cili aktualisht po zbatohet në qytetin e Bulqizes nga Shoqata e Ekspertëve të Rinj Mjedisorë (SHERM).

Projekti ka si qëllim të zhvillojë të kuptuarit gjithpërfshirës në menaxhimin e mbetjeve urbane duke përfshirë pjesëmarrjen e komunitetit për të siguruar mbrojtjen mjedisore. Ata synojnë fort ndërgjegjësimin e të rinjve për mbrojtjen e mjedisit ndaj mbetjeve urbane si dhe informimin e komunitetit për të luftuar fenomenin e depozitimit te mbetjeve urbane në zonat e papërcaktuara, pasojat që sjell djegia e tyre, si dhe njohja me perfitimet reale që mund t’iu sjellë ndarja dhe më pas kompostimi i mbetjeve organike në tokat e tyre. Të rinjtë e SHERM tregohen mjaft optimistë në aspektet pozitive që ky projekt po sjell në qytetin e tyre.

Ata theksojnë se ka filluar një ndergjegjësim i komunitetit për mbrojtjen dhe qasjen e tyre me mjedisin. Gjithashtu ata synojnë që nën hijen e këtij projekti të realizojnë dhe një hartim provizor të një strategjie që ka të bëjë me mirëmenaxhimin e vendgrumbullimit të mbetjeve urbane të qytetit. Duket qartë që përfitimet nga ky projekt do jenë mjaft pozitive dhe pritet që grupet e synuara në këtë projekt si administrata publike dhe shoqëria civile të luajnë rol kyç në vazhdimësinë e kësaj kulture mjedisore që pritet të ndërtohet.

Ky projekt zhvillohet në kuadër të programit SENiOR-II, i cili zbatohet nga REC Shqipëri me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze.

Print Email