Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Varfëria energjitike në Elbasan

Në kuadrin e projektit "Një sy për mjedisin" në qytetin e Elbasanit u krye studimi për varfërinë energjitike nga Klubi Ekologjik Elbasan.

Për këtë qëllim u plotësuan 238 pyetësorë duke u intervistuar 45 familje në nevojë (vulnerable) që trajtohen me ndihma sociale dhe 193 familje të zakonshme të zgjedhura në mënyrë rastësore, që plotësojnë kushtin për të pasur të dhëna të besueshme sipas standarteve më të përparuara europiane të kohëve të fundit. Nga përpunimi i të dhënave rezultoi se 70 % e familjeve elbasanase e përdorin energjinë elektrike për ngrohjen e mjedisit familjar si dhe të ujit për përdorim sanitar. Në po këtë përqindje përdoret energjia për ftohje gjatë ditëve të nxehta të verës.

Për ngrohjen vetëm të mjedisit të brendshëm, energjinë elektrike e përdorin 60 % e familjeve kurse 24, 4 % përdorin dru zjarri dhe ngrohës të tjerë alternativë. Vetëm 15 % e familjeve i përdorin pjesërisht burimet e ndryshme të energjisë. Sipas këtij studimi 71,8 % e familjeve kanë vështirësi për të paguar faturat e shpenzimeve për energjinë elektrike në banesë.

Kjo gjendje ka bërë që 90 % e familjeve qytetare të marrin masa për të pakësuar konsumin e energjisë elektrike duke fikur dritat gjatë shikimit të televizorit etj. 50,8 % e të intervistuarëve u shprehën se konsumojnë më pak ushqime dhe pije të ngrohta se do të donin. Një gjendje e tillë ka ardhur edhe pasi rreth 55 % e familjeve elbasanase kanë të ardhura mesatare mujore nga 10 000 deri në 35 000 lekë.

Gjendjen e vështirë energjitike në këtë qytet e vështirëson edhe performanca dobët e banesave. Në 10 % të banesave ka dyer dhe dritare ku kalojnë rryma ajri kurse 23 % e banesave kanë probleme me lagështirën dhe mykun.

Në këtë tablo me vështirësi energjitike për familjet e thjeshta bie në sy edhe një dukuri pozitive për mbrojtjen e mjedisit, konkretisht për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet për dru zjarri, të cilat vazhdojnë edhe tani në përmasa shumë të mëdha në bashki të ndryshme të vendit. Vetëm 16.5 % të familjeve qytetarë elbasanase përdorin dru zjarri (biomasë) për ngrohje e gatim. Konsumi vjetor i biomasës për familje në vit është 3,43 metër kub.

Ky studim u realizua në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin”, mundësuar financiarisht nga qeveria Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.

Print Email