Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Varfëria energjitike në Berat

Pas një pune nëntë mujore, në kuadër të projektit “Së bashku-Një sy për mjedisin”, pjesë e programit SENiOR-II, zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, financuar nga Qeveria Suedeze, organizata “Për Mirëqënie Sociale dhe Mjedisore”Berat, solli gjetjet e saj të përcjella nga publiku.

Në përfundim të Konferencës së saj, kjo organizatë solli disa përfundime të rëndësishme si dhe rekomandime, të cilat i adresoheshin më shumë pushtetit lokal. Këto gjetje u prezantuan në Konferencën e mbajtur në 17 Janar në qytetin e Beratit, ku të ftuar në të ishin përfaqësues të pushtetit lokal (Bashki, Këshill Qarku, Prefekturë), përfaqësues të administratës publike (KESH, AdZM, ARM, ISHMP, ISHSH, Spital rajonal, DA Berat, Drejtues të Shkollave të mesme ), si dhe disa nxënës të shkollave të mesme të qytetit.

Këta përfaqësues ishin jo vetëm si pjesë e këtyre institucioneve por edhe si pjesëmarrës indirekt të këtij projekti, në këtë qytet. Organizata PMSM nëpërmjet këtij projekti kishte marrë përsipër të prezantonte për publikun “Vlerësimin e Performancës së Energjisë në banesat e familjeve me të ardhura të pakta”, si një mënyrë e mirë për të faktuar me shifra konkrete, situatën e vështirë në të cilën gjenden këto familje në raport me ligjin e Performancës së Energjisë.

Mungesa e të dhënave në këtë sektor ishte një nga arsyet që Rrjeti i Vigjilencës e ngriti këtë problem, pasi vetëm faktimi i situatës mund të japë mundësinë e lobimit të politikave mbështetëse, ndihmuese në nivel lokal e qendror, për këto shtresa të popullsisë. Ngritja e problemit të Eficensës së Energjisë, fushatat ndërgjegjësuese, mbështetëse dhe shtytëse të koncepteve Energji e Pastër, Burime Alternative të Energjisë, ishin ato që rritën shkallën e njohjes nga publiku, për një përdorim më masiv të tyre, për të nesërmen, që shkon paralel me mbrojtjen e mjedisit e të cilësisë së jetës tonë.

Disa nga gjetjet e punës së organizatës PMSM Berat ishin:

- Në Berat 70 % e konsumatorëve të energjisë elekrike, marrin masa per të reduktuar konsumin e Energjisë Elektrike;

- 60 % e tyre kanë të ardhura familjare 25000-50000 leke / muaj;

- 10% deri 20 % e buxhetit të tyre familjar shkon për pagesën e Energjisë Elektrike (kjo në varësi të të ardhurave);

- 30 % të familjeve me të ardhura të pakta nuk e paguajnë dot Energjinë Elektrike;

- 60 % e familjeve e përdorin energjinë elektrike për ngrohjen e ambjentit; ngrohjen e ujit në kuzhinë dhe në tualet;

- 60 % e tyre kane dritare dhe dyer ku kalojnë rryma ajri;

- 80 % e tyre kane vështirësi për të paguar faturat e shpenzimeve të Energjisë elektrike në banesë;

- 95 % e tyre nuk e kanë dëgjuar se cfarë është Ligji i “Performancës së energjisë në banesa”.

Rekomandimet:

- Qytetarët nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, ndërkohë shtëpitë i kanë pa termoizolim. Ata paguajnë një energji të pakonsumuar efektivisht për ngrohje, ose krijojnë një “konflikt” financiar midis qytetarit si taksapagues dhe shtetit. Zgjidhja do të ishte ndërmarja sa më e shpejtë e projekteve të përbashkëta me iniciativën e bashkive për “politikat termoizoluese”, si kusht të paktën për pallatet të reja, por dhe marrja e iniciativave për termoizolim, të studiuar dhe sa më të shtrirë aty ku është e mundur, sesa pagesa apo bartja e faturave “Të kripura”.

- Në Shqipëri çmimi i banesave paracaktohet nga sipërfaqja /m2, dhe vendndodhja e saj, ndërkohë duhet të shikohet mundësia ligjore e variacionit të çmimit edhe në lidhje me kushtet paraprake të shtëpisë, si ngrohja, hapësirat e përbashkëta, dhe natyra e materialeve ndërtuese të shtëpisë, ku shkalla “healthy” është e ndryshme, në shtëpi të ndryshme. Shfaqja e mykut në fakt është pjesë e “Sick Building Syndrome”. Ndërkohë literatura thekson se shtëpitë mbi 60 vjecare kanë një shkallë të kufizuar “banueshmërie”, ndaj këto shtëpi duhet të “trajtohen” me qasje të vecantë.

- Bashkia duhet të bëjë “hartën”e “varfërisë”energjitike, ku të ketë paraprakisht politikat ligjore dhe sociale ndihmëse në bashkëpunim me strukturat sociale lokale, qendrore, dhe bizneset. Të ketë një strategji ndihmëse dhe të shikohet eficienca e “politikave alternative energjitike”, sidomos paneleve diellore, duke filluar me lagje, apo “zona”pilot.

Sot shtrohet pyetja: “A ndërtojnë mirë bizneset”? Një element që ata mund ta vënë në jetë me lehtësi mund të sjellë kursime afatgjata energjitike për bizneset dhe qytetarët.

Sot duhet të ekzistojë patjetër “korniza minimale e standarteve energjitike të banesës”, për të patur standarte më të mira jetese jo vetëm për ne sot, por edhe për të ardhmen.

Print Email