Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Performanca e energjisë në ndërtesa në qytetin e Vlorës

Qendra për Kërkim Bashkëpunim dhe Zhvillim (CRCD) në kuadër të projektit “Një sy për mjedisin” organizoi ditën e premte Konferencën me temë ”Performanca e energjisë në ndërtesa në qytetin e Vlorës”.

Në këtë konferencë u prezantuan gjetjet e vlerësimit të performancës së energjisë në ndërtesa në qytetin e Vlorës të realizuar nga Qendra për Kërkim Bashkëpunim dhe Zhvillim – CRCD në periudhën maj-shtator 2017.

Ky raport i vlerësimit të performancës së energjisë në ndërtesa në qytetin e Vlorës ka qëllim kryesor të japë informacion tregues në lidhje me performancën e energjisë në sektorin e banesave në familje të zakonshme dhe ato në vështirësi ekonomike, institucione publike dhe private si një mjet i vlefshëm për të adresuar sfidat për përdorimin e qendrueshëm të energjisë së pastër, me synim eficencën e energjisë dhe minimizimin e ndikimit negativ në mjedis.

Puna kërkimore në terren konsistoi në përpunimin e 50 pyetjeve me karakter social, ekonomik dhe energjitik në familje (të zakonshme dhe të varfra) institucione publike dhe ente private.

Gjetjet e sondazhit sjellin përpara publikut pikat kryesore mbi të cilat shihet situata e eficencës së energjisë nga qytetarët vlonjatë.

Ø  Në familjet e intervistuara situata është pak a shumë e ngjashme në tipet e banesave, kushtet higjeno sanitare, sjelljet konsumatore energjitike, kostot për shpenzimet duke diferencuar shtresat e varfëra si më të ndjeshme dhe të prekura nga konsumi i energjisë elektrike.

Ø  Rreth 9.5% e të ardhurave familjare shkojnë për pagesën e energjisë elektirke dhe kjo kosto prek më shumë familjet dhe shtresat vulnerabël të cilët kanë vështirësi në pagesën e faturave të energjisë dhe si rrjedhim kufizojnë edhe përdorimin e saj për të plotësuar nevojat e tyre në banesa.

Ø  Ndërkohë që situata në institucionet publike rezulton ndryshe, pasi përveç konfortit dhe kushteve të përmirësuara të ndërtesës edhe kostot energjitike rëndojnë më pak në buxhetin e institucioneve përkatëse, me një mesatare të përafruar prej 1.5%. Kjo reflektohej me kënaqësine e punonjësve në lidhje me kushtet e konfortit në orarin e punës.

Ø  Në lidhje me bizneset situata reflekton ndryshe sepse kostot energjitike rëndonin më tepër në buxhet krahasuar me familjet dhe institucionet publike, përafërsisht 15 % .

Për të siguruar kushtet energjitike konforte në shërbimin që ofronin, pavarësisht sjelljeve të kujdesshme për të kursyer dhe për të mos shpërdoruar energjinë elektrike, ishte e pamundur të ulnin shpenzimet energjitike.

Ky raport vjen si përgjigje e mungesës së informacionit për detyrimin që sjell zbatueshmëria e Ligjit  nr. 116/2016 “ Për përformancën e energjisë në ndërtesa”, si dhe nevojës për ti adresuar problematikat në institucionet përgjegjëse vendimarrëse.

Përmirësimi i kushteve termoizoluese të ndërtesave në rikonstruksion dhe për ndërtesat e reja,  duhet bërë, duke patur në konsideratë kushtet  klimaterike, kushtet e konfortit të brendshëm dhe kostot efektive. 

Rekomandimet

  • Iniciativa me entet private, (kryesisht hotele) për ti sensibilizuar në përdorimin e praktikave dhe modeleve pro-mjedisore, për të zbutur gjurmën e karbonit në mjedis, duke përdorur energjinë e gjelbër në ofrimin e shërbimeve me qëllim reduktimin e kostove të energjise elektrike, ose konsum 0 të energjisë. (certifikimi i performances). 
  • Për familjet, Bashkia Vlorë të pilotojë një plan veprimi duke targetuar shtresat e varfra, për zbatimin me efikasitet të ligjit të performancës së energjisë në ndërtesa, në rikonstruksionin e jashtëm termoizolues të banesave, me synim përmirësimin e kushteve të konfortit në banesa, reduktimin e kostove të energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. (ngrohja e ujit ishte masa më e përdorshme e energjisë). 
  • Ndërtesat që kanë përdorim të gjerë publik si konvikte e shkolla publike për qëllime edukimi komunitar, duhen edukuar për tu bërë pjesë e programeve të gjelbra si dhe të ketë nje studim të hollësishëm sesi të kursejmë energjnë elektrike duke përdorur burimet e energjive alternative dhe energjitë e pastra. 
  • Të hartohet një program komunikimi me publikun për vënien në zbatim të koncepteve të eficencës së energjisë duke targetuar fëmijë dhe të rinjtë për ti bërë protagonistë në axhendën e zhvillimit mjedisor të qytetit nën titullin (environmental sentinels). 

Një nga arsyet e nevojës për adresimin e problematikës nëpërmjet vlerësimit të situatës ishte dhe mungesa e të dhënave në këtë sektor si një mjet i vlefshëm për advokim dhe lobim në nivel më të lartë institucional për politika mbështetëse.    

Ky raport vlerësues është realizuar nga Qendra CRCD në kuadër të projektit "Një sy për Mjedisin", mundësuar nga Programi SENiOR-II, i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Shqipëri dhe financohet nga Qeveria Suedeze.

Print Email