Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Menaxhim jo i qëndrueshëm i pasurive nënujore, çfarë do të humbasim?

Vlerat e deteve që lagin brigjet e vendit tonë janë të panumërta e për më tepër shfrytëzohen pa kritere dhe pa plane. Kjo hapësirë ka mbetur si një qenie pa frymëmarrje, e kapur nga ndotja dhe e mbishfrytëzuar deri në tjetërsim dhe shkatërrim të ngadalshëm si sëmundje pa shërim.

Për vlerat natyrore dhe burimet social-ekonomike të ekosistemeve nënujore detare dhe për mënyrën e menaxhimit të tyre, ekspertët e mjedisit, përfaqësues të institucioneve që lidhen me menaxhimin e burimeve të detit, përfaqësues të kërkimit shkencor dhe fushës akademike dhe universiteteve u mblodhën së bashku për t’u njohur dhe diskutuar mes tyre raportin e vlerësimit të gjendjes së mjedisit detar të përgatitur nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri – INCA në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Mjedisit – REC Shqipëri, në kuadër të programit SENiOR-II, si pjesë e Granteve për Prioritetet Kombëtare, zbatuar nga REC Shqipëri dhe mbështetur nga Qeveria Suedeze, në mjediset e sallës së Hotel Xheko-Imperial, në datë 26.02.2018.

Raporti i vlerësimit të gjendjes së mjedisit detar në Shqipëri është një sintezë e studimeve ku janë prezantuar se si është trajtuar deti, burimet e tij natyrore dhe cila ka qenë mënyra e menaxhimit të tij, si pjesë e mjedisit tonë dhe e axhendës qeveritare gjatë periudhës 1991-2015 në shkallë kombëtare. Për vlerat e ekosistemeve, biodiversitetit dhe llojshmërisë së specieve dhe habitateve, Prof.Dr. Lefter Kashta prezantoi gjetjet, projektet e zbatuara dhe kërkimet shkencore që janë kryer gjatë periudhës 1991-2015, duke specifikuar jo vetëm njohjen e sistemit nënujor detar, por dhe identifikuar rreziqet me të cilat këto ekosisteme dhe habitate përballen dhe ndikohen në cilësinë e tyre. Përmes prezantimit të vrojtimeve dhe monitorimeve të bëra nga stafet shkencore, u prezantuan dhe vlerësimet mbi gjendjen e këtyre ekosistemeve dhe ndryshimet që kanë pësuar habitatet dhe speciet nënujore, si dhe u përshkruan rekomandimet për të ruajtur dhe menaxhuar më mirë këto ekosisteme dhe jetën nënujore në tërësi.

Vlerësimet e gjendjes së mjedisit nënujor detar u lidhën ngushtë dhe me indikatorë të tjerë që ndikojnë në cilësinë e këtij sistemi, sikurse u prezantuan nga Dr. Emirjeta Adhami, për ndryshimet gjeomorfologjike të vijës bregdetare, që ndikon në zgjerimin apo tjetërsimin e ekosistemeve nënujore dhe ndikimet nga burimet e ndryshme ndotëse që vijnë nga ujërat e brendshme që derdhen në det apo nga zhvillimet ekonomiko-sociale përgjatë vijës bregdetare dhe që lidhen me jetën ngujore. Theksi ju vu burimeve të shkarkimeve ujore të patrajtuara dhe në veçanti atyre industriale (të kimikateve dhe naftës) si burime difuze, por nuk u përjashtuan dhe ndotja nga mbetjet e ngurta që vijnë në det në formë e plastikave, mbetjeve me shkallë degradimi të ngadaltë që ndikojnë në cilësinë e ujërave detare dhe më tej në atë të jetës nënujore. Në këtë listë burimesh ndotjeje u përfshinë dhe incidentet në det nga shkarkimet e anijeve apo ndotja nga nafta. Mënyra e menaxhimit të sistemit detar nga ana ligjore dhe institucionale ishte pjesë e këtij takimi për të evidentuar përgjegjësitë dhe detyrimet ligjore të institucioneve jo vetëm ligjbërëse dhe ligj zbatuese, por dhe të komuniteti shkencor dhe shoqërisë civile në mbështetje të zbatimit të kuadrit ligjor për mjedisin detar, pa harruar dhe koordinimin dhe monitorimin e bashkëpunimit midis aktorëve kryesor. Kjo ishte pjesë e diskutimit të prezantuar nga ekspertët ligjor dhe të menaxhimit të mjedisit detar të cilët evidentuan gjetjet e tyre, si dhe ofruan rekomandimet mbi mënyrën e menaxhimit të këtij mjedisi duke integruar të gjithë bashkëpunëtorët sipas funksioneve dhe misioneve për ruajtjen, zhvillimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të tij.

Ekspertët theksuan se zhvillimi social-ekonomik, bujqësor, infrastruktura dhe turizmi për vetë shtrirjen dhe përmasat e tyre përbëjnë një rrezik serioz për mjedisin detar. Shtimi në rritje i aktiviteteve njerëzore paraqet një rrezikshmëri të lartë për biodiversitetin, peizazhin dhe për vlerat historike e kulturore, po të mos menaxhohet në mënyrën e duhur, sjellin pasoja negative të pa rikuperueshme.

Të pranishmit në këtë event shprehën interesin për zhvillimet që kanë ndodhur në mjedisin detar, që prek vendin tonë dhe ndanë me organizatorët dhe ekspertët që punuan për hartimin e këtij raporti, opinionet dhe rekomandimet e tyre për një menaxhim më të mirë të tij në plotësimin e detyrimeve dhe angazhimeve rajonale dhe globale. Theksuan domosdoshmërinë e unifikimit të legjislacionit dhe përcaktimin e kompetencave institucionale në lidhje me këtë hapësirë; hartimin e një strategjie kombëtare e aftë për të nxitur mënyrën e bashkëpunimit, në drejtim të planifikimit dhe menaxhimit të zonës detare-bregdetare, e parë kjo brenda forcimit të partneritet me shoqërinë civile.

Kjo strategji duhet të sigurojë rolin drejtues dhe udhërrëfyes të shtetit për të mbështetur implementimin e menaxhimit të integruar të hapësirës detare-bregdetare. Menaxhimi i integruar i kësaj hapësire duhet të mbetet çështje kombëtare. Vetë përfaqësuesit e institucioneve qendrore dhe rajonale shprehën interes për studimin dhe kërkuan një bashkëpunim më të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile në mënyrë që të vlerësonin në rutinën e punës së tyre rekomandimet e dhëna, por dhe të përdornin studimet e përmendura në këtë raport si elemente bazë në menaxhimin e zonës detare që ata e kanë pjesë të misioneve të institucioneve që ata përfaqësonin.

Nga gjithçka që u prezantua dhe diskutua në këtë event, ajo që ne do të humbasim, nëse nuk zhvillojmë në kohë dhe hapësirë planet e integruara të zhvillimit të hapësirës territoriale detare të lidhura ngushtë me hapësirën tokësore, është pasuria nënujore e cila do të degradohet, shkatërrohet dhe tjetërsohet duke humbur vlerat, bukurinë dhe gjithçka ajo fsheh nën hapësirën e kaltër ujore.

 

Print Email