Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Të rinjtë informohen mbi risitë në panelet diellore dhe fotovoltaike

EcoAlbania vijon zbatimin e projektit “Së bashku – një sy për mjedisin”. Tashmë në fazën e dytë të tij, ky projekt përfshin një fushatë edukimi me të rinj të moshave, fushave të interesave dhe profesioneve të ndryshme mbi tematikat e efiçencës së energjisë, kursimit të saj, izolimit termik të ndërtesave, si dhe legjislacionit përkatës.

Nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Gjergj Canco” zhvilluan një vizitë studimore pranë kompanisë AL-NOBEL, gjatë së cilës patën mundësi të shikonin nga afër panelet diellore, fotovoltaike dhe disa nga materialet që përdoren për termoizolim.

Gjatë kësaj vizite, ata u njohën më në detaje me funksionimin e paneleve diellore, modelet e ndryshme të tyre, risitë teknologjike, si dhe mënyrën e instalimit të paneleve në ndërtesa me lartësi të ndryshme. Inxinierët e kompanisë u shpjeguan nxënësve metodat e përdorura për izolimin termik të impianteve të ujit me qëllim rritjen e kursimit dhe efiçencës së energjisë.

Panelet fotovoltaike zunë një tjetër pjesë të vizitës studimore. Nxënësve iu tregua përbërja e këtij lloj të paneleve. Teknologjia e qelizave diellore që ndodhen në to arrin të kapë ndiçimin e diellit duke e kthyer atë në energji elektrike. Lidhjet në qark, injektimi i energjisë elektrike në rrjet, aftësia për të prodhuar elektricitet edhe gjatë orëve pa diell ishin tematika të tjera të trajtuara.

Interes për nxënësit pati përshtatja e infrastrukturës ekzistuese me këto teknologji të reja siç janë panelet diellore dhe fotovoltaike. Mundësia për instalimin e tyre në ndërtesat ekzizstuese, vështirësitë teknike që ata mund të hasin si profesionistë të ardhshëm dhe lehtësirat ekonomike që vijnë si pasojë e përdorimit të tyre ishin në qendër të diskutimit ndërmjet nxënësve dhe inxhinierëve të kompanisë. E

coAlbania do të vazhdojë fushatën e edukimit për tematikat e efiçencës energjetike, kursimit të energjisë, diversifikimit të burimeve të energjisë me të rinj të tjerë nga fushave të ndryshme interesash.

Ky aktivitet u organizua nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” , si pjesë e programit SENiOR-II, zbatuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga qeveria suedeze.

Print Email