Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Menaxhimi i mbetjeve, në fokus të Bashkisë Finiq

Menaxhimi i mbetjeve urbane është një nga problematikat gjithëvjetore që preokupon Bashkitë e JP të Shqipërisë të cilat kanë jo pak asete turistike. Kjo u kostantua së fundi edhe në Bashkinë e Finiqit gjatë tryezës mjedisore organizuar së fundi nga AJMMI, pjesë e grupimit mjedisor ECIM në kuadër të projektit : “Monitorim i zbatimit të politikave mjedisore në bashkitë JP të Shqipërisë me fokus menaxhimin e mbetjeve në zonat rurale”, mbështetur nga REC Shqipëri si pjesë e programit SENiOR-II, financuar nga qeveria Suedeze.

Pavarësisht se mungojnë planet e mirëfillta të një zhvillimi të qëndrueshëm, duket se janë hedhur disa hapa për përpjekje të reja me synimin për përmirësimin e disa standardeve. Nëse do të ndalemi në Bashkinë e Finiqit, vështirësive për menaxhimin e mbetjeve u shtohet edhe një territor mjaft i gjerë, rreth 60 fshatra dhe një terren mjaft i thyer.

Sipas z. Gjergji Mano, përgjegjës i zyrës së Programit – Zhvillimit, Turizmit dhe Projekteve me BE: “menaxhimi i mbetjeve merr një rëndësi të dorës së parë në Bashkinë e Finiqit e cila ka pjesë përbërëse edhe Parkun Natyror të Syrit të kaltër, qytetin antik të Foinikës, Manastirin e Mesopotamit etj.”

Sipas Manos, në menaxhimin e mbetjeve urbane janë shënuar përmirësime të dukshme por ende ka mjaft për të bërë, për të arritur standardet që kërkojmë. Ka shumë vend për ndërgjegjësim të banorëve dhe veçanërisht nxënësve të shkollave. Tashmë sipas tij Bashkia Finiq ka miratuar dhe promovuar planin dhe strategjinë e zhvillimit të turizmit. Gjatë një tryeze mjedisore organizuar nga AJMMI, në Finiq, doli në pah edhe një dukuri, ajo e “lënies në derë të mbetjeve nga bashki të tjera, kryesisht në akset rrugore.

Përgjegjësi i sektorit të pastrimit në Bashkinë e Finiqit, z. Foto Thanasi lidhur me pyetjen e drejtuar nga organizatorët e tryezës mjedisore: “ku jeni me zbatimin e parimit ndotësi paguan”, u përgjigj se kemi bërë pak ose aspak lidhur me gjobat me autorët e ndotjeve. Sipas Thanasit, Bashkia Finiq po monitoron akset rrugore për të zbuluar autorët e depozitimit të mbetjeve urbane nga bashkitë e tjera. Bashkia e Finiqit gjatë dy viteve të fundit ka bërë hapa të rëndësishme lidhur me infrastrukturën e transportit të mbeturinave urbane nga pikat e grumbullimit nëpër fshatra drejt landfillit rajonal të Bajkajt.

Sekretari i përgjithshëm i Bashkisë së Finiqit Vasil Talo, vuri në dukje në tryezën e Finiqit se janë blerë makina teknologjike për transportin e mbetjeve urbane si dhe një numër kontenierësh të rinj për të mbuluar më mirë pikat e grumbullimit në këtë bashki e cila hyn ndër 10 bashkitë me territorin më të madh në vend.

Print Email