Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Prezantimi i studimit: Dëmet e Shkaktuara nga Fatkeqësitë Natyrore në Shqipëri

Ngjarjet e dekadës së fundit dëshmojnë qartë se mënyra sesi bashkëveprojmë me natyrën dhe ajo që marrim prej fenomeneve të saj është tjetërsuar plotësisht. Risku është shtuar me disa fish, natyra e tij bërë më komplekse dhe prekshmëria shumë më e lartë.

Sjellja komunitare ka ndryshuar për keq duke e rritur më tej këtë risk dhe duke shtuar natyrën e tij. Në këtë përballje dhe vetë institucionet e specializuara gjenden të sfiduara si në kapacitete logjistike ashtu dhe njerëzore.

Gama e proceseve që ndikojnë në këtë situatë është shumëdimensionale dhe përfshin një numër gjithnjë e më të madh aktorësh siç janë Bashkitë, Agjencitë planifikuese të territorit, Agjencitë e ujit, Bizneset, e shumë të tjerë.

Nisur nga kjo natyrë e shtuar e riskut dhe nga nevoja për të hulumtuar më tej ngjarjet e ndodhura në 10 vitet e fundit, të cilat do t’i shërbejnë specialistëve të mirëfilltë të fushës për të rishikuar gjendjen dhe infrastrukturën aktuale për përballimin e fenomeneve gjithnjë e në rritje, u ndërmor ky studim nga organizata Milieukontakt, me mbeshtetjen e REC Shqipëri, financuar nga Qeveria Suedeze, në kuadër të projektit SENIOR-II.

Ky studim nuk zëvendëson por përpiqet ti shtojë vlerë punës së strukturave përgjegjëse. Një numër i madh specialistësh të fushave të ndryshme që lidhen me këtë çështje janë tashmë pjesë të OSHC-ve dhe përbejnë një burim të madh ndihme për përballjen me situatat dhe planifikimin gjithnjë e më të drejtë të menaxhimit të territorit, ekonomisë dhe mjedisit në tërësi.

Ndaj ky studim i ardhur pikërisht nga këta specialistë të nderuar, ka vlerën e vet profesionale për t’iu dorëzuar me dinjitetin e duhur autoriteteve, të cilat koordinojnë sektorin dhe në këtë rast Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Studimi u prezantua ditën e sotme, në prani të Z. Haki Çako, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, përfaqësues të REC Shqipëri, institucione, organizata dhe ekspertë mjedisorë në Shqipëri.

Print Email