Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Çiklistët në Tiranë pedalojnë për më shumë siguri në rrugë

Komuniteti i çiklistëve në Tiranë organizoi të premten një pedalim sensibilizues në mbrojtje të të drejtave të përdoruesve të biçikletave në rrugë.

Të mbledhur në grupimin Critical Mass, dhjetëra çiklistë pedaluan nga sheshi Nënë Tereza drejt Bulevardit Zogu i Parë dhe rrugës së Durrësit. Ata ndërgjegjësuan gjithashtu për aksidentet e shumëta me pasojë vdekjen e çiklistëve kohët e fundit në kryeqytet. Erald Halili, një nga organizatorët i tha BIRN se më shumë duhet bërë për të siguruar jetën e atyre që përdorin dyrrotakët. “Synojmë të lirojmë korsitë, të ndërgjegjësojmë qytetarët dhe shoferët.

Shpresojmë që sot t’i japim fund bllokimit të korsive dhe t’i themi jo aksidenteve me biçikleta,” tha Halili, duke shtuar me buzëqeshje se jeta është më e bukur kur pedalon me biçikletë. Disa rrugë në Tiranë kanë korsi të dedikuar biçikletave, por çiklistët ankohen se pakujdesia nga hapja e dyerve të makinave dhe kaosi në rrugë i vë ata në rrezik.

Një çiklist prej disa vitesh në Tiranë, Elvi Myrtaj tha për BIRN se shqetësimi i tij më i madh janë një mjet i veçantë transporti. “Shqetësimi më i madh për mua… janë taksitë, që nuk e respektojnë fare qarkullimin rrugor, futen nëpër korsitë e biçikletave,” tha ai.

Të tjerë përdorues të biçikletave megjithatë shtojnë se përgjegjësia nuk i takon vetëm shoferëve, por bie edhe mbi vetë çiklistët. “Duhet të evitojmë aksidentet, të cilat janë shtuar shumë kohët e fundit dhe këtu nuk bën pjesë vetëm pakujdesia e shoferëve, por edhe pakujdesia e çiklistëve,” tha për BIRN një nga përdorueset e dyrrotakëve në Tiranë prej 3 vitesh tashmë.

Aktivistët synojnë ta përsërisin tubimin e tyre ndërgjegjësues çdo muaj.

Print Email