Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Dajti n'Fest: Jehonë Ditës Ndërkombëtare të Maleve

Me dëborën e parë në Dajt i dhamë jehonë Ditës Ndërkombëtare të Maleve! Dajti n'Fest 2017 ofroi për qytetarët e Tiranës gjatë kësaj fundjave mundësi pa fund argëtimi, ndërsa banorët e zonës patën mundësi që të ekspozonin dhe të shisnin produktet e tyre agroushqimore. Muzikë, gara road-bike, hiking në një shteg të ri, hedhje me parashutë, fluturim me balonë, folk, rock climbing, ishin disa nga surprizat që organizatorët kishin menduar si mundësi argëtimi për pjesëmarrësit e shumtë që pëlqejnë turizmin malor dhe sportet ekstreme.

Të apasionuarit pas sportit ekstrem të hedhjes me parashutë nuk ka nevojë të udhëtojnë deri në Llogara për të ushtruar pasionin e tyre. Tashmë, edhe Tirana ka një pistë të vetën të hedhjes me parashutë në malin e Dajtit, nga ku mund të fluturojnë të gjithë parashutistët profesionistë apo edhe ata që kërkojnë të provojnë adrenalinën që të jep ky lloj sporti. Pjesë e aktiviteteve u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, si dhe shumë qytetarë të Tiranës që kishin zgjedhur që ditën e sotme ta kalonin në “Dajti n’Fest”.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që më në fund edhe Tirana ka pistën e saj të hedhjes me parashutë. “Më vjen shumë mirë që e mbajtëm fjalën, edhe e di që kemi shumë punë për të bërë. Ky është vetëm fillimi. Sapo kemi markuar territorin për ta kthyer pastaj në një pistë profesioniste që mund të akomodojë dhe dhjetëra sportistë njëkohësisht, megjithatë fillimi i mbarë është gjysma e punës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se çdo nismë apo investim që sjell zhvillimin e sportit i shërben në radhë të parë të gjithë atyre të rinjve dhe rejave që kohën e lirë duan ta kalojnë duke u marrë me aktivitete fizike. Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi për këtë edhe sipërmarrësit privatë, të cilët kanë mbështetur nismat që sjellin zhvillim turistik dhe ekonomik për qytetin.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se nisma të tilla nxisin edhe më shumë zhvillimin e potencialit turistik, ndërsa theksoi se turizmi mbetet një prioritet për qeverinë. “Padyshim turizmi malor, turizmi i aventurës, turizmi jashtë sezonit është për ne një prioritet dhe një përpjekje fantastike që nuk mund ta bëjmë kurrë vetëm. Prandaj, jemi këtu në këtë ditë të diele për t’i dëshmuar të gjithëve që së bashku mund t’ia dalim të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Padyshim bashkëpunimi me bashkitë është themelor në këtë histori, po nuk do të mjaftonte kjo nëse nuk do të kishim me mijëra e mijëra djem e vajza të mrekullueshme që kanë sakrifikuar në këto vite, tashmë kanë të drejtën e tyre të kërkojnë më shumë nga ne, më shumë investime, organizime dhe më shumë pjesëmarrje. Prandaj vazhdojmë të këmbëngulim që turizmi i aventurës, turizmi i njerëzve, të cilët duan të shijojnë natyrën, pasi është edhe një burim shumë i mirë të ardhurash edhe financiar për ekonominë e vendit”, tha Klosi.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri ishte një nga mbështetësit e këtij aktiviteti, që shërbeu si një rast i mirë për të theksuar tematikën e sivjetshme të Ditës Ndërkombëtare të Maleve, ‘Malet nën presion: klima, uria dhe migrimi.’

Print Email