Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

“Të respektojmë natyrën”, aktivistët aksion për pastrimin e plazhit të Zvërnecit

Prej disa muajsh ka nisur një fushatë për pastrimin dhe mbajtjen pastër të lumenjve dhe grykëderdhjeve nga një grup aktivistësh. “Lumenjtë nuk mund të jenë kosha mbetjesh, ti mbajmë pastër dhe respektojmë natyrën”, është motoja e tyre pasi kanë vizituar nga afër dhe ndërmarrë aksione për pastrimin e grykëderdhjes se Ishmit, Bunës, Semanit, Lumit të Tiranës, së fundmi dhe plazhin e Zvërnecit.

Nivelet e ndotjes në grykëderdhjet e lumenjve dhe plazhet shqiptare, janë alarmante dhe dëmtojnë zhvillimin e turizmit, një nga ekonomitë kryesore të vendit tonë. Shqipëria renditet në një nga vendet me kulturën dhe informimimin më të ulët mjedisor, duke lënë pasoja katastrofike në mjedisin shqiptar. Paaftësia dhe mosshtrëngimi i shumë komunave për menaxhimin e mbetjeve, ndërgjegjja e ulët qytetare kanë bërë që mbetjet të hidhen buzë lumenjve, përrenjve, për ti hequr nga vetja, duke dëmtuar botën nënujore, plazhet dhe lumenjtë tanë.

Mesazhi i këtyre të rinjve në këto ditë të ftohta dimri është pikërisht ky: “Nëse deti kujdeset për ne duke ushqyer qindra familje përmes turizmit, por ne çfarë bëjmë për detin?” Mbetjet e Shqipërisë që përfundojnë në det jo rrallë herë janë bërë çështje e gjyqeve ndërkombëtare të cilat e kanë penalizuar Shqipërinë, për ndotjen e plazheve të Kroacisë, (portit të Dubrovnikut dhe me rradhë). Ndonëse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka theksuar disa herë se do të shtrëngohen masat për kundravajtësit dhe ndotësit, ende asnjë gjobë nuk është vendosur për komunat apo dhe për vetë qytetarët e papërgjegjshëm.

Print Email