Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Pastrohen 110 ton mbetje nga katër lumenjtë e qarkut Gjirokastër

Aksioni për pastrimin e shtretërve të lumenjve, ndotja e të cilëve është kthyer në një shqetësim të madh për të gjitha zonat ku ato kalojnë, në qarkun Gjirokastër, angazhoi punonjësit e një sërë institucionesh dhe nxënësit e shumë shkollave, të cilët gjatë një jave larguan 110 ton mbetje në segmentet problematikë përgjatë lumenjve Vjosë, Drino, Dëshnicë e Bënçës.

Prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj u shpreh për ATSH-në se, aksioni u zhvillua në kuadër të “Ditës së Tokë” me qëllimin e mirë dhe të domosdoshëm për të ndaluar ndotjen e mjedisit ku jetojmë. E konsideruar si “Java e Tokës”, aksioni mbarëkombëtar për pastrimin u fokuasua në zonat përreth shtretërve të lumenjve në të gjithë Shqipërinë.

Ky aksion, tha Aliaj, i paraprin dhe hapjes së sezonit turistik 2018, me një mjedis më të pastër dhe veçanërisht në zonat e lumenjve, që për bukuritë e peizazhit të tyre, janë mjaft të soditur nga shumë turistë. Institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër nën drejtimin e Prefektit Aliaj ka ndjekur mbarëvajtjen e këtij aksioni ku përgjatë kësaj jave janë larguar rreth 110 ton mbetje nga katër lumenjtë e qarkut Gjirokastër.

Në 22 prill, në “Ditën e Tokës”, më shumë se 1 bilion njerëz në 192 shtete të botës marrin pjesë në atë që mund të quhet dita më e rëndësishme e aksionit qytetar për mbrojtjen e planetit ku jetojmë.

Print Email