Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Kajakistët vërshojnë në Tiranë në protestë kundër HEC-eve

Një grup kajakistësh nga vende të ndryshme të botës, e nisën nga Vjosa turin e tyre Ballkanik ku pritet të lundrojnë dhe protestojnë në gjashtë shtete të rajonit për të rritur ndërgjegjësimin kundër hidrocentraleve. Me thirrjet “Jo diga në Vjosë” një grup kajakistësh nga vende të ndryshme të botës nisën turin e përvitshëm Ballkanik, që nxit qeveritë e rajonit të anullojnë planet e dëmshme për hidrocentrale në lumenj.

Në protestën e organizuar para Piramidës në Tiranë, aktivistët i bënë thirrje kryeministrit Rama të vazhdojë të ruajë gjendjen e egër të lumit Vjosë në Shqipëri, ndërsa i kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të lejes së hidrocentralit të Kalivaçit. “Vjosa është diamanti më i çmuar i kurorës së trashëgimisë natyrore në Europë.

Kërcënimi më i madh i saj aktualisht mbetet ai i pesë viteve më parë… janë sigurisht digat për ndërtimin e hidrocentraleve të cilat vazhdojnë të mbeten aty edhe pas shumë përpjekjeve që ne kemi bërë,” tha për BIRN Olsi Nika, drejtues i organizatës EcoAlbania që ka në fokus mbrojtjen e lumit Vjosa.

Turi “Lumenjtë e Ballkanit” i cili u zhvillua për të tretin vit, tërheq kajakistë nga vende të ndryshme të botës. Lundrimi i nisur në Shqipëri do të vazhdojë në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe do të përfundojë në Slloveni. Përmes ndërthurjes së aktiviteteve sportive dhe atyre ndërgjegjësuese e kulturore, kajakistët mbështesin organizatat vendase që luftojnë për mbrojtjen e lumenjve, por edhe banorët e zonave të prekura nga planet e hidrocentraleve.

“Hidroenergjia ka ende një imazh “të gjelbër”, por në fakt teknika nuk është vërtet e qëndrueshme,” tha për BIRN, Vera Knook, një inxhiniere hidrologjie dhe njëkohësisht kajakiste e turit ardhur nga Holanda. “Vjosa, për shembull, është lumi i fundit i egër në Europë dhe do të ishte shumë keq nëse humbet. Shpresoj shumë që njerëzit do të ngrihen për lumin e tyre,” përfundon ajo.

Një studim i RiverWatch, një organizatë europiane për mbrojtjen e lumenjve zbuloi se në Ballkan janë planifikuar më shumë se 2800 projekte hidroenergjetike, 187 prej tyre janë në ndërtim dhe mbi 1000 HEC-e pritet të jenë brenda zonave të mbrojtura. Gjatë viteve të fundit, mjedisorët dhe aktivistët në Shqipëri janë ngritur në fushata të shumta për të mbrojtur lumenjtë nga hidrocentralet e dhëna pa kriter nga qeveritë e dy dekadave të fundit.

Vjosa dhe Valbona kanë tërhequr më shumë kritika për qeverinë pasi banorët janë ankuar për procedura të parregullta dhe mungesë konsultimi me ta për dhënien e projekteve.

Një tjetër plan për hidrocentrale në lumin Osum u anulua së fundmi nga qeveria pasi u zbuluan shkelje në mënyrën e marrjes së lejes nga kompania.

Print Email