Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

INTBAU Albania: “Dita e Drinit” 2017

INTBAU Albania në datë 6-7 Maj 2017 organizoi në Koman aktivitetin me temë "Zbulimi i zonave të pashkelura midis Komanit dhe Liqenit të Fierzës, në Basenin e Drinit" në kuadër të Ditës së Drinit.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit me titull: “Mundësimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe menaxhimi i integruar i burimeve ujore në pellgun e zgjeruar të lumit Drin”, (Drin Project) i Global Environment Facility (GEF), i implementuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), dhe i zbatuar nga Global Water Partnership-Mediterranean (GWP-Med).

"Zbulimi i zonave të pashkelura midis Komanit dhe Liqenit të Fierzës, në Basenin e Drinit" ishte një aktivitet 2-ditor që u zhvillua në formën e një turi përgjatë basenit të lumit Drin, mes liqenit të Komanit dhe Fierzës duke nxjerrë në pah rëndësinë që lumi Drin ka patur në zhvillimin e vendbanimeve ekzistuese dhe bashkëjetesën mes tyre. Kjo zonë është nën mbrojtjen e Drin CORDA.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte informimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit të zonës si dhe publikut të gjerë mbi rëndësinë e një zhvillimi të qëndrueshëm të zonave në basenin e lumit Drin. Për një studim dhe pamje më të gjerë të zonës, pjesë e aktivitetit ishin ekspertë të ndryshëm dhe studentë nga fusha të ndryshme interesi, si: arkitektë, inxhinierë mjedisi, arkeologë, hulumtues të trashëgimisë kulturore, sociologë, gazetarë, etj.

Pjesa e parë e aktivitetit ishte prezantimi i një udhëzuesi/guide të detajuar me informacion historik rreth zonës mes dy liqeneve.

Pas kësaj, u organizua një udhëtim me varkë per të vizituar zonën, duke vijuar më tej me udhëtimin në terren në zonat arkeologjike dhe në një nga fshatrat e zonës me qëllim për t’u njohur me vlerat dhe mënyrën e jetesës në këtë zonë. Aktiviteti u pasua me theksimin e potencialit të mjedisit, turizmit dhe të energjisë.

Print Email