Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Vlorë: Një lagje ekologjike

Prej javësh, një nga lagjet e qytetit të Vlorës është shndërruar në një hapësirë pilot, për zbatimin e praktikave të grumbullimit dhe trajtimit të diferencuar të mbetjeve, duke veçuar mes tyre ato me materiale plastike, të cilat destinohen për industrinë vendore të riciklimit.

Disa dhjetra kosha të dizajnuar me ngjyra të ndryshme dhe të destinuar për mbetjet plastike, janë vendosur në të gjithë hapësirën e kësaj lagjeje, si pjesë funksionale e hartës së konteinerëve, të shpërndarë në gjeografinë e kësaj pjese të qytetit. Kjo u mundësua përmes Projektit “Zero Plastikë”, i zbatuar nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal AULEDA.

Plotësimit të infrastrukturës përkatëse, i parapriu një fushatë intensive sensibilizimi për qytetarët, në të cilën u angazhuan qindra të rinj e të reja, nxënës të shkollave të ndryshme të qytetit, me të cilët u shkua në qindra shtëpi, ku u zhvilluan takime me qytetarë të grupmopshave të ndryshme. Me projektin “Zero-Plastikë” u ndërmorrën një seri veprimesh të vazhdueshme, të cilat u konkretizuan me një sërë rezultatesh në praktikë, duke treguar se, trajtimi i mbetjeve urbane dhe administrimi i tyre, sipas standarteve europiane mjedisore, përbën një emergjencë ku është e domosdoshme të ndërhyhet.

Përmes projektit, u tregua në praktikë se, sa e thjeshtë është ndarja e diferencuar e plastikës nga mbeturinat e përgjithshme dhe se si ky veprim, i ndjekur nga të gjithë individët mund të ketë një ndikim të gjerë në jetën e përditshme, duke arritur standarde në cilësinë dhe pastërtinë e rrugëve dhe hapësirave të tjera të përbashkëta. Për të rritur ndjenjën e ndërgjegjësimit të të rinjve për menaxhimin e mbetjeve dhe problemin e riciklimit, në projekt u përfshinë disa nga shkollat e qytetit, në te cilat u vendosën gjithashtu kosha për grumbullimin e mbetjeve plastike.

Koshat u përgatitën nga nxënësit e Shkollës së Mesme Industriale “Pavarësia”, ndërkohë që u dizajnuan nga një grup nxënësish të Shkollës së Mesme “Ali Demi”, të cilët punuan për mjaft ditë për t’i përshtatur ato me të gjitha ngjyrat. Këto çështje u trajtuan të mërkurën në një aktivitet të zhvilluar në mjediset e Qendrës Rinore Rajonale, ku të përanishmit, mes të cilëve mjaft të rinj e të reja, përfaqësues të institucioneve të ndryshme etj, diskutuan për përditshmërinë e trajtimit të mbetjeve, veçanërisht atyre me material plastik.

Aktualisht, në qytetin e Vlorës krijohen mesatarisht çdo ditë 140 tonë mbetje urbane, ose rreth 40 mijë tonë në vit, si edhe mesatarisht 45-50 tonë mbetje plastike në muaj. Prej tyre, nga mbetjet vjetore, rreth 1300 tonë me material plastik, janë të riciklueshme. Për trajtimin e mbetjeve, Bashkia akordon çdo vit 23.7 për qind të buxhetit të saj vjetor.

Nisur nga ky fakt dhe në përputhje me objektivat e aktivitetit të vet, Agjencia AULEDA, synon shtrirjen e projektit dhe të këtij modeli në të gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës.

Pjesë e këtyre përpjekjeve është bashkëpunimi institucional me Bashkinë Vlorë, Shkollën Profesionale “Pavarësia”, Administratën Rajonale të Zonave të mbrojtura Vlorë, EMMAUS, shkollën jopublike “Internacional”, Institucionet Arsimore Jopublike “Elite”, shkollën e mesme të përgjithshme “Ali Demi”, shkollat 9-vjeçare “Muço Delo” e “Jani Minga”, si dhe nxënësit e shkollës artistike “Naim Frashëri”.

Print Email