Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Fishekzjarret, nga argëtimi deri tek ndotja e mjedisit

Këtë vit Policia e Shtetit të Tiranës, sipas mediave të shkruara, ka rritur kontrollin e saj për tregtuesit e fishekzjarreve, kryesisht në tregun Çam. Pas aksidenteve të ndryshme shkaktuar nga fishekzjarret, instancat përkatëse që janë përgjegjëse për kontrollin e tyre duhet të liçensojnë kompani apo persona të përshtatshëm, jo vetëm për tregtimin, por edhe përdorimin e tyre, duke shmangur përdorimet nga qytetarët dhe grupmoshat e ndryshme.

Shteti tjetër shqiptar, Kosova para disa vitesh ka aplikuar sanksione deri në vendosje gjobe për përdorim të fishekzjarreve përgjatë festave të fundvitit. Të njëjtën gjë ka aplikuar edhe Maqedonia, ku gjoba e vendosur në rastin e përdorimit të fishekzjarreve ka qenë nga 200-800 Euro. Në Tiranë kontrollet mbi tregtimin e fishekzjarreve kanë ndihmuar në kontrollin ndaj tregtarëve, por kurrësesi në kontrollin e përdorimit të tyre. Si edhe çdo vit tjetër kryeqyteti këtë vit u përskuq nga plasja e zjarrit shumëngjyrësh.

Përveç ndotjes së ajrit që krijohet përgjatë festave nga përdorimi i fishekzjarreve, rëndohen gjithashtu edhe xhepat e blerësve, ku mesatarisht çdo familje për festat e fundvitit mund të shpenzojë rreth 15-30 Euro. Sipas një raporti të ISHP-së, përgatitur për vitin 2013 referuar matjeve të bëra nga ky institut, rezultoi se ndotja e ajrit nga fishekzjarret shënoi rritje 2 deri në 3 herë më të lartë se norma. Ndotja akustike u rrit në nivele shqetësuese, duke arritur deri në 90 decibel, nga 55 që është dhe kufiri maksimal sipas BE-së. Në festa të ndryshme kombëtare askush s’ka mundur t’i shpëtojë kënaqësisë dhe atmosferës që krijojnë plasja e fishekzjarreve.

Sipas Agjencisë Amerikane të Mjedisit (EPA-s) niveli i grimcave dhe ndotësve të vegjël, si pluhuri, papastërtia dhe bloza e pranishme në ajër, u rriten mesatarisht në masën 42% në të gjithë SHBA përgjatë festës kombëtare të saj në 4 korrik, duke përkeqësuar kështu cilësinë e ajrit përgjatë orëve 9 dhe 10 pasdite. Hulumtuesit dolën në një përfundim të tillë, pasi panë të dhënat nga 315 pika të ndryshme në të gjithë vendin.

The Guardian raporton për vitin 2016 se Delhi përgjatë nëntorit ishte mbuluar me mjegull toksike, pasi qindra e mijëra njerëz ndezën fishekzjarre për të festuar. Nivelet e ndotjes ishin deri në 42 herë mbi norma, duke kaluar kështu ndotjen e shkaktuar nga trafiku i rënduar i makinave. Në shumë qytete, ditën e plasjes së fishkezjarreve në Britani, natën e zjarrit dhe ditën tjetër janë ditët e pikut për pranimet në spital për astmë dhe probleme të tjera të frymëmarrjes. Fishekzjarret ndotin ajrin me metale toksike të rënda si plumbi, mërkuri, alumini, kadiumi, bariumi radioaktiv etj. Disa prej tyre përdoren për t'u dhënë fishekzjarreve ngjyrat e tyre. Tymi nga fishekzjarret përbëhet nga pluhurat e butë toksike që mund të hyjnë në mushkëri.

Prodhuesit e fishekzjarreve duhet të mendojnë për të prodhuar fishekzjarre që janë më pak të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin Fishekzjarrët përbëhen nga një përzjerje piroteknike ku: 75% nitrat kaliumi, 15% karbon dhe 10% squfur. Për të pasur ngjyra shtohen lidhje bakri, bariumi apo stronciumi, që shkaktojnë efektet blu, të kuqe apo të gjelbër.

Fishekzjarrët e parë mendohet se janë prodhuar në kohën e dinastisë kineze të Zongve (960-1270). Si shpikës i tyre konsiderohet murgu Li Toam.

Print Email