Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Divjakë, aktivitete në kuadër të Ditës botërore të Ligatinave

Dita botërore e Ligatinave është caktuar të jetë data 2 Shkurt, datë kjo që shënon miratimin e Konventës për Ligatinat (Ramsar).

Çdo vit kjo ditë vjen me një temë të caktuar, ku tema e 2018 ishte: “Ligatinat për një të ardhme të qëndrueshme urbane”, duke vënë kështu theksin tek rëndësia e ligatinave për qytetet. Duke qenë se përqindja e popullsisë urbane në botë po rritet me ritme të shpejta, me po këto ritme po përgjysmohet numri i ligatinave në mbarë botën.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në kuadër të Ditës Botërore të Ligatinave, në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier organizoi disa aktivitete me studentë dhe të rinj aktivistë të shoqërisë civile.

Aktivitetet u organizuan në një prej ekosistemeve ligatinore më të rëndësishme në vend: lagunën e Divjakë-Karavstasë. Qëllimi i aktiviteteve ishte ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë dhe vlerën e këtyre sistemeve, jo vetëm si ekosisteme me një larmi të madhe biologjike, por dhe si potenciale të rëndësishme në zhvillimin e turizmit natyror.

Anëtarë dhe vullnetarë të OJF-ve mjedisore nga qytete të ndryshme u bashkuan në këtë zonë, për t’u njohur më mirë me vlerat e kësaj lagune, rëndësinë e saj dhe potencialet turistike. Po ashtu, të rinjtë vullnetarë dhanë kontributin e tyre në pastrimin e territorit të lagunës, në bashkëpunim me autoritetet vendore.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe Z. Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit, i cili jo vetëm u përfshi në procesin e pastrimit por edhe në mbjelljen e fidanëve pyjorë.

Print Email