Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Ndal hedhjes së mbetjeve në përrenj e lumenj

Dhjetra pika ku hidhen mbetjet urbane dhe ato inerte, në mënyrë të paligjshme, janë identifikuar në Bashkinë e Elbasanit nga ekspertë të organizatës Forumi i Mendimit të Lirë. Kanale, përrenj, lumenj, mjedise të ndryshme publike, rrugë etj, janë shndërruar nga banorët apo kompanitë që prodhojnë mbetje inerte, në landfille, duke krijuar probleme serioze me mjedisin.

Shumica e pikave të konstatuara janë në kanale dhe përrenj, ku hidhen mbetjet urbane zakonisht, nga banorët lokalë të zonave rurale, të cilët nuk kanë kontenierë mbetjesh apo e bëjnë këtë veprim për më shumë lehtësi. Si pasojë e këtyre veprimeve, është rritur edhe shkalla e ndotjes së lumit Shkumbin.

Gjatë kohës kur bien reshje përrenjtë i marrin mbetjet dhe i shkarkojnë në lumin Shkumbin, e një pjesë e konsiderueshme e tyre përfundojnë edhe në det. Por edhe shumë kompani shkarkojnë në brigjet e përrenjve e lumenjve mbetje inerte duke ndikuar në rritjen e shkallës së ndotjes së mjedisit.

Organizata Forumi i Mendimit të Lirë, në kuadër të projektit “Informim-Komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm, me fokus të veçantë mbi menaxhimin e mbetjeve urbane”, mbështetur nga projekti SENiOR-II, zbatuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga qeveria suedeze, po identifikon pikat ku hidhen mbetjet në bashkitë Elbasan dhe Gramsh.

Ajo u bën thirrje bashkive të marrë masat për pastrimin dhe mbi të gjitha parndalimin e ndotjes së mëtejshme të ketyre ambienteve.

Print Email