Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Paketa e Gjelbër Junior fillon rrugëtimin drejt shkollave fillore në mbarë vendin

Edukimi Mjedisor dhe ai për Zhvillimin e Qëndrueshëm janë procese që zgjasin gjithë jetën: fillon nga fëmijëria e hershme, në edukimin e brezave të rritur dhe shkon përtej edukimit formal. Vlera të tilla si mënyra e jetesës dhe qëndrimet fitohen që në fëmijëri, prandaj roli i edukimit merr një rëndësi të veçantë sidomos për fëmijët. Ai duhet të përshkojë programet mësimore në të gjitha nivelet, duke përfshirë edukimin profesional, trajnimin për mësuesit dhe edukimin e vazhdueshëm për profesionistët.

Institucionet e edukimit formal luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve që në moshë të vogël, duke dhënë njohuri dhe duke ndikuar në mënyrën e qëndrimit dhe të sjelljes. Është e rëndësishme që të gjithë nxënësit dhe studentët të marrin njohuritë e duhura mbi edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të jenë të informuar për ndikimin që kanë vendimmarrjet që nuk mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo institucion edukativ, në tërësinë e tij, duke përfshirë nxënësit dhe studentët, mësuesit, pedagogët, menaxherët dhe pjesën tjetër të personelit si dhe prindërit, duhet të ndjekë parimet e sjelljeve miqësore me mjedisin.

Duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm këtë proces, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) ka hartuar në vitin 2006-të të parën kurrikul të plotë për edukimin mjedisor në Shqipëri, për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, të quajtur “Paketa e Gjelbër”. Me ndihmën e Drejtorive Arsimore Rajonale, kjo Paketë është shpërndarë në të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit. Ky material i ri arsimor hapi një kapitull të ri në përpjekjet tona që të zgjerohet grupi qëllimor dhe t’u prezantohet “Paketa e Gjelbër” fëmijëve të arsimit fillor përmes zhvillimit të një “Pakete të Gjelbër Junior”. Bazuar në përfshirjen e hershme të specialistëve të Institutit të Zhvillimit të Arsimit (IZHA), si dhe të specialistëve të tjerë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, mund të thuhet se Paketa e Gjelbër Junior është plotësisht e integruar me informacionin e kurrikulës së arsimit fillor dhe programeve lëndore të këtij cikli. Informacioni i kësaj pakete konsiderohet si plotësues dhe krijon një urë të konsoliduar në lidhje me njohuritë që nxënësi do të marrë në të gjitha vitet e arsimit bazë. Për më tepër, informacioni ka karakter të përgjithshëm dhe për rrjedhojë, mund të përshtatet shumë mirë si për shkollat e zonave urbane ashtu edhe për ato rurale, duke i lënë në dorë mësuesit të përshtasë materialin sipas zonës ku ndodhet.

“Paketa e Gjelbër Junior” përmban mjete plotësuese edukative, të zhvilluara si rezultat I bashkëpunimit të përbashkët mes ekipit të REC dhe grupeve të mësimdhënësve dhe ekspertëve kompetentë nga shkollat fillore dhe institucionet e tjera arsimore në Shqipëri. Ky produkt është dhe një tjetër tregues i suksesshëm i lidhur me përpjekjet e REC për ngritjen e kapaciteteve të mësuesve dhe të trajnerëve në mbështetje të zhvillimit të institucioneve dhe programeve që e rrisin cilësinë e arsimit për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri. “Paketa e Gjelbër Junior” ndihmon në zhvillimin e vlerave të reja tek nxënësit dhe një model të ri të sjelljes në shkollë, shtëpi dhe shoqëri. Me këtë, fëmijët do të bëhen ambasadorë të qëndrueshmërisë së një shoqërie dhe do t’ua transmetojnë njohuritë dhe shprehitë e tyre të reja miqve dhe rrethit familjar.

Kjo paketë është rezultat konkret i përpjekjeve tona që të ndërtojmë komunitete të forta për të tashmen dhe të ardhmen. Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin tonë autorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në hartimin e këtij materiali të ri arsimor, si dhe Qeverisë Suedeze dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri për mbështetjen e tyre të sinqertë, e cila ishte shtysë kryesore e jona gjatë hartimit të “Paketës së Gjelbër Junior”.

http://senior-a.al/index.php/publikime/314-paketa-e-gjelber-junior 

Print Email