Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Advokimi nëpërmjet medias dhe rrjeteve sociale

Shumë ngjarje politike dhe shoqërore që ndodhin në Shqipëri në mënyrë të pashmangshme shoqërohen me debate mbi rolin që media luan për pasqyrimin e tyre. Pyetjet që shpesh ngrihen lidhen me hapësirën që i jepet një ngjarje të caktuar në emisionet informative, në debatet publike në televizion apo në faqet online dhe në shtyp të gazetave. Ky debat në rritje zhvillohet në rrjetet sociale dhe blogje, në të ashtuquajturën media e re, e cila jo vetëm i jep mundësinë individëve të shpërndajnë opinionet e tyre por edhe të komentojnë dhe kritikojnë punën e medias tradicionale. Një pjesë e zërave kritikë ndaj medias, brenda dhe jashtë rrjeteve sociale vijnë nga shoqëria civile, e cila shpesh e sheh veten dhe kuazat që ajo përfaqëson të papërfaqësuara mjaftueshëm në median tradicionale por edhe nga ajo online – e cila gjatë tre viteve të fundit ka shënuar një rritje eksponenciale.

Një monitorim mbi mënyrën se si media tradicionale raporton për korrupsionin, i kryer nga BIRN Albania në periudhën gusht-nëntor 2014, zbuloi se edhe pse tema ishte e gjithëpërhapur në faqet e gazetave dhe edicionet e lajmeve, ajo në të shumtën e rasteve kufizohej në transmetimin e akuzave politike të bëra nga foltoret e partive, konferencat për shtyp të institucioneve dhe akuzat e ndërsjella midis palëve. Në këtë tollovi mediatike, edhe pse për një temë shumë të ndjeshmepër shqiptarët, zëri i shoqërisë civile, aktivistëve apo dhe i akademikëve ishte gati i papërfaqësuar. Kjo situatë nuk është e pazakontë edhe për debate ose tema të tjera të rëndësishme, ku zëri i aktorëve të shoqërisë civile duhet të luante një rol në formëzimin e opinionit publik. Në një numër tryezash të rrumbullakëta të organizuara nga BIRN Albania me organizata të shoqërisë civile, aktivistët dhe gazetarë; përfaqësuesit e OJF-ve shpesh ankohen se media nuk është e interesuar në aktivitet që ato ndërmarrin apo kauzat që ato përfaqësojnë. Gazetarët nga ana tjetër përgjigjen se organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët jo gjithmonë janë të hapur ndaj medias dhe pak herë kuptojnë ciklin e vendimeve në redaksi dhe jashtë që ndikojnë raportimin e lajmeve dhe forcat centrifugale brenda redaksive që diktojnë politikat editoriale. Me qëllimin e ngritjes së urave të bashkëpunimit midis aktivistëve, gazetarëve dhe shoqërisë civile, BIRN Albania vjen me këtë udhëzues mbi advokimin në media për organizatat e shoqërisë civile dhe OJF-të.

Ky manual synon të ndihmojë aktivistët dhe organizatat të përdorin median për të realizuar synimet e tyre afatshkurtra dhe afatgjata për ndryshim shoqëror. Moduli paraqet mjetet dhe teknikat e përdorura nga aktivistët si për të komunikuar drejtpërsëdrejti me publikun e gjerë ashtu edhe për të komunikuar duke përdorur median si aleat dhe ndërmjetës në axhendën e tyre. Ky manual përmban kalimthi një shpjegim për situatën mediatike në Shqipëri si dhe mjetet e përdorura nga aktivistët për të përparuar nëçështjet e tyre, si dhe shembuj ilustrues që ndihmojnë për të kuptuar më mirë procesin e advokimit përmes medias, por synimi kryesor i tij mbetet advokimi përmes medias; qoftë media konvencionale ose media sociale. Përdoruesit e këtij manuali pritet që të jenë në gjendje të kuptojnë panoramën e përgjithshme të medias konvencionale si dhe medias sociale si dhe vlerën që ka media mbi komunikimin dhe ndryshimin shoqëror. Përdoruesit do të mund të identifikojnë kanalet e komunikimit me median konvencionale dhe atë të re për një shpërndarje efikase të fushatave advokuese, të mësojnë artin e strategjive dhe teknikave të komunikimit në median sociale si dhe të mësojnë praktikat më të mira për krijimin e përmbajtjes të medias sociale dhe kuptimit të peshës dhe rëndësisë së medias konvencionale.

Qëllimi fundor i këtij udhëzuesi është jo vetëm t’i ndihmojë organizatat e shoqërisë civile të ngrenë çështje me interes publike në media, por ta bëjë dhe median me të fortë dhe demokratike duke pasqyruar një numër më të shumëllojshëm opinionesh mbi debatet e rëndësishme të kohës sonë.

Për më shumë lexoni publikimin e plotë.

Ky udhëzues u botua me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze dhe Balkan Trust for Democracy, një projekt i German Marshall Fund i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Opinionet e shprehura në këtë raport janë të autorëve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të donatorëve dhe/ose partnerëve të tyre.

Publikuar nga: Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, Shqipëri

Print Email