Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Udhërrëfyesi i Gjelbër

Qëndrueshmëria është një kombinim dhe sinergji e drejtësisë sociale, shëndetit ekologjik dhe vitalitetit ekonomik. Ky botim i përgjigjet një interesi në rritje për një zhvillim të qëndrueshëm, dhe adreson çështje urgjente që përcjellin nevojën për veprim.

Pavarësisht që në dhjetëvjeçarin e fundit flitet shumë për zhvillimin e qëndrueshëm, ndihet nevoja e një kuptimi më të saktë në lidhje me vetë konceptin. Pyetje të shumta ngrihen e kërkojnë përgjigje. A janë veprimet e mia të qëndrueshme? Cili është thelbi i Zhvillimit të Qëndueshëm? Si mund të bëhem i qëndrueshëm? A e shpëton ky lloj zhvillimi Planetin dhe a jep zgjidhje ai për të gjitha problematikat me të cilat po përballemi?

Një nga përkufizimet më të arrira për zhvillimin e qëndrueshëm është ai i formuluar nga Komisioni i Brundtlandit:” Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillim i cili plotëson nevojat e së tashmes pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të plotësuar nevojat e tyre” (Komisioni Botëror mbi Mjedisin dhe Zhvillimin, 1987). Zhvillimi i qëndrueshëm ka tre komponentë: mjedisin, shoqërinë dhe ekonominë. Përmbushja e këtyre tre komponentëve është e pandarë dhe bëhet në sinkron. Konsiderohet e mirëqenë ideja që: një shoqëri e shëndoshë ndërtohet mbi një mjedis të mirëadministruar, me një ekonomi referuar burimeve natyrore, nevojave dhe dëshirave të brezit, për një jetë të shëndetshme, në standardet e konfirmuara nga vetë shoqëria.

Ky manual synon t’u ofrojë OJF-ve mjetet, informacionin dhe frymëzimin e nevojshëm për të zbatuar një larmi të gjerë të praktikave të qëndrueshme. Qëndrueshmëria duhet të jetë pjesë e përditshmërisë së punës së organizatave të shoqërisë civile, ajo duhet të jetë pjesë e përditshmërisë për të gjithë ne.

Mbi të gjitha, organizatat e shoqërisë civile kanë fuqi të pashfrytëzuara për të frymëzuar individët dhe komunitetet, duke luajtur rolin e shembullit model që ndihmojnë në transformimin e qëndrueshmërisë në një realitet të prekshëm nga të gjithë.

Në një botë gjithnjë e më të globalizuar është thelbësore të marrim parasysh ndikimet e mëdha të blerjeve, veprimeve dhe praktikave tona. Duhet të jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e lidhjeve dhe ndërvarësive midis mirëqënies shoqërore, ekonomike, dhe mjedisore.

Për shembull, puna për drejtësinë sociale përfshin të punuarit për një mjedis të pastër; puna për drejtësinë mjedisore përfshin të punuarit për barazi gjinore. Ne besojmë se duke njohur këto ndërvarësi globale dhe pasojat e gjithçkaje që bëjmë, si dhe duke u përpjekur për të zvogëluar ndikimet negative të të gjitha veprimeve tona, ne do të krijojmë bashkërisht një shoqëri të drejtë.

Ky manual ju ofron dhe një përmbledhje faktesh dhe të dhënash nga studime shkencore por dhe shumë këshilla praktike që vijnë nga mençuria popullore.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri ju nxit ta ndani këtë manual me kolegë, miq por dhe organizatat e tjera në mënyrë që të qarkullojnë këto njohuri të dobishme dhe të vlefshme dhe që të zvogëlojmë ndikimin mjedisor të secilës kopje të printuar të këtij manuali.

Për më shumë informacion mbi udhërrëfyesin e gjelbër.

Print Email