Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Kuadri Ligjor dhe Institucional për Zbatimin e të drejtës për t’ju Drejtuar Gjykatës për Çështjet Mjedisore

Çdo Kushtetutë e vendeve të rajonit garanton të drejtën për t’ju drejtuar gjykatës kur janë cënuar të drejtat. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën për të apeluar kundër një vendimi ligjor të marrë në shkallë të parë prej një gjykatë, trupe administrative, organizate apo institucioni tjetër, i cili ushtron një mandat publik.

Neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë siguron të drejtën për një proces gjyqësor të drejtë dhe publik, brenda një afati kohor të arsyeshëm, prej një gjykate të pavarur dhe të paanshme për çdo individ, të cilit i janë cënuar të drejtat kushtetuese dhe siguruara me ligj, liritë apo interesat e tij. Shqipëria ka miratuar procedurat e gjykimit për rastet e çështjeve civile, penale dhe administrative. Në Tetor 2000, Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Komisionit Ekonomik për Evropën të Kombeve të Bashkuara (UNECE) për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit (Konventa e Aarhusit), e cila hyri në fuqi në Nëntor të po atij viti.

Që atëherë, Shqipëria ka përshtatur legjislacionin në mënyrë që të sigurojë të drejtën për t’ju drejtuar gjykatës nëse cënohet e drejta për të marrë informacion dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje, sipas shtyllës së tretë të Konventës, e cila trajton çështje të së drejtës për të apeluar kundër vendimeve dhe veprimeve që kufizojnë të drejtën e informimit ose shmangin pjesëmarrjen në proceset e vendimmarrjes. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit1, publiku i interesuar ka të drejtën të kërkojë prej autoriteteve publike të ndërmarrin masat e duhura për mbrojtjen e mjedisit ose të fillojnë procese për rishikimin e vendimeve lidhur me mjedisin të marra prej gjykatave.

Publiku ka të drejtën të apelojë kundër vendimeve të çdo institucioni lidhur me mbrojtjen e mjedisit, dhe të drejtën të nisë një proces gjyqësor në gjykatat administrative sipas Kodit të Procedurës Administrative dhe Ligjit për Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrveshjeve Administrative. Në përgjithësi, qytetarët në Shqipëri nuk kanë besim ti drejtohen sistemit gjyqësor në vend dhe të nisin procese apelimi, sepse kanë perceptimin që ka korrupsion, proceset janë të ngadalta, kanë mungesë besimi në sistemin gjyqësor ose ju mungon njohja e duhur ligjore për këto procese.

Megjithatë, Shqipëria ka ndërmarrë një reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë që ka si qëllim të rikthejë besimin e publikut në sistemin gjyqësor dhe veprimin e ligjit. Gjithashtu, prej gjykatave administrative janë marrë në shqyrtim një numër i shtuar çështjesh administrative kundër vendimeve të institucioneve shtetërore. Siç parashikohet me ligj, çështjet administrative trajtohen me një procedurë të shkurtuar që bën të mundur përfundimin e çështjes në një kohë më të shkurtër dhe me më pak kosto të përfshira.

Megjithatë duhet theksuar që për shkak të një numri të madh çështjesh që janë në ndjekje në gjykatat administrative, koha e ndjekjes së çështjeve administrative është më e gjatë se sa parashikohet në ligj për ndjekjen e çështjeve të tilla administrative.

Për më shumë informacion.

Print Email