Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Dëmet e Shkaktuara nga Fatkeqësitë Natyrore në Shqipëri

Shqipëria është mjaft e ekspozuar përballë një numri të konsiderueshëm fatkeqësish natyrore dhe fatkeqësish që mund të vijnë nga veprimtaria njerëzore .

Rreziku më i madh nga fatkeqësitë natyrore mund të vijë nga tërmetet, por kohët e fundit kanë qenë mjaft evidente përmbytjet, rrëshqitjet e tokës apo emergjencat dimërore, edhe pse të shkallëve të vogla deri në të mesme. Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore madhore në vit. Efekti i fatkeqësive natyrore në Shqipëri amplifikohet nga shkalla relativisht e lartë e varfërisë, mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës, ndërtimet e pasigurta dhe praktikat e shfrytëzimit të tokës, të lidhura këto me urbanizimin e shpejtë, shfrytëzimin e keq të burimeve natyrore (kullotave, pyjeve, shtretërve të lumenjve, etj.) gjatë kalimit nga një ekonomi e kontrolluar nga shteti në një ekonomi të tregut të lirë.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve dhe kësaj nevoje, Milieukontakt së bashku me një grup ekspertësh dhe teknicienë, njohës të mirë të kësaj fushe dhe me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile kanë përgatitur një dokument strategjik mbi dëmet nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri; me synim të ndihmojnë institucionet dhe aktorët e interesuar të vlerësojnë gjendjen dhe të nxjerrin në pah nevojën për përmirësimin e saj.

Objektiv i përgjithshëm i studimit është kontributi në forcimin e rolit të shoqërisë civile në monitorimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore në Shqipëri dhe vlerësimin e riskut të fatkeqësive. Më specifikisht, nëpërmjet këtij studimi jepen dëmet në infrastrukturë, niveli i riskut të shtuar ndaj komunitetit, pronës dhe kafshëve dhe hartëzimi i zonave të prekura si një ndihmë në dobi të punës së institucioneve, komuniteteve të prekura dhe publikut të gjerë. Studimi është përqendruar më së shumti në një vlerësim të detajuar, lidhur me zonat dhe dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në 3 vitet e fundit (2014 – 2017), me fokus të veçantë te përmbytjet. Ai bazohet në të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Pergjithshme e Emergjencave Civile, takimet e bërë me sektorët dhe drejtoritë lokale pranë bashkive dhe prefekturave më të prekura nga këto fatkeqësi, inspektimet fushore të sipërfaqeve të prekura dhe pyetësori me banorë të këtyre zonave për vlerësimin e fatkeqësive.

Studimi është kryer në kuadrin e Programit "Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri 2016-2018, SENiOR II", zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, financuar nga Qeveria Suedeze.

Për më shumë informacion.

Print Email